PËRVOJA E ROMEDIT – Një trashëgimi për pjesëmarrje të përmirësuar të komuniteteve rome
Zbatimi i programit ROMED1 çoi në diskutime në nivel kombëtar lidhur me promovimin e ndërmjetësimit të romëve si një proces i domosdoshëm në programet që lidhen me përfshirjen e romëve, si dhe në lidhje me njohjen zyrtare të profesionit. Kjo vendosi një rregull jozyrtar (në atë kohë), i cili që atëherë është pranuar zyrtarisht; pra çdo program në favor të romëve duhet të përfshijë komunitetin rom në lidhje me konsultimin dhe zbatimin, pasi vetë komuniteti është më i vetëdijshëm për nevojat e tij dhe si mund të përmbushen ato.
Sipas Ekipit Kombëtar të Mbështetjes dhe një fokus grupi ndërmjetësuesish, konteksti negativ i vendit për shkak të krizës ekonomike ndikoi në një masë të madhe situatën e ndërmjetësimit në Greqi dhe komunitetin rom. Në raste të caktuara, ky kontekst i përgjithshëm çoi në fenomene të ksenofobisë dhe racizmit ndaj grupeve vulnerabël shoqërore, madje edhe në akte të dhunshme ndaj ndërmjetësve romë dhe komuniteteve rome gjatë zbatimit të programit. Tregues te situatës ishin qëndrimet refuzuese të prindërve jo-rom në zonat e Anthilit në Lamia dhe Sofades në Kardicë, kur u mor vendimi nga autoritetet lokale për mbylljen e shkollave geto në zonat e margjinalizuara dhe fëmijët romë u transferuan në ato të përziera, shkolla në rrethe të ndryshme. Roli i ndërmjetësimit në këtë rast u vështirësua shumë nga konteksti i përgjithshëm ekonomik dhe social.
Përveç përkeqësimit të kushteve të tyre të jetesës, si në vendet e tjera të ROMED-it, pavarësisht rolit të rëndësishëm që luajnë në nivel lokal, pagat e ndërmjetësve mbeten shumë të ulëta. Pozicionet e tyre janë kryesisht të përkohshme dhe për këtë arsye ndërmjetësuesit nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Si të tillë, ata janë të detyruar të marrin përsipër punë shtesë që i pengon t’i përkushtohen plotësisht ndërmjetësimit. Shpesh, ata e përmbushin rolin e ndërmjetësit mbi baza vullnetare.
Sipas vlerësimeve të ndërmjetësuesve pas trajnimeve ROMED1, shumë mendonin se statusi dhe kushtet e tyre të punës nuk ishin prekur nga trajnimi. Certifikatat e lëshuara nga Këshilli i Evropës nuk u njohën nga asnjë palë e interesuar në Greqi si një certifikim formal arsimor, as profesioni i ndërmjetësit, por ata u deklaruan më të fuqizuar nga procesi dhe pranojnë se trajnimi për ndërmjetësimin ndërkulturor ishte i nevojshëm për ta.